“Momentet e fundit të jetës”, Mladiqi kërkon të lirohet nga burgu

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (IRMCT) ka njoftuar se Ratko Mladiq, përmes avokatit të tij, ka dorëzuar një kërkesë në të cilën theksohet se shërbimi mjekësor i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara (UNDU) e ka informuar atë se gjendja e tij shëndetësore është e pakthyeshme.

Sipas këtij njoftimi, Mladiqi ndodhet tashmë në fazën e kujdesit paliativ dhe po përjeton momentet e fundit të jetës, raporton danas.rs.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë (1992–1995). Ai u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas 16 vitesh në arrati, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij nisi në vitin 2012 dhe zgjati 530 ditë.

Në kërkesën e dorëzuar nga avokati, theksohet se ajo paraqitet si një kërkesë për lirimin e përkohshëm ose, në alternativë, lirimin me kushte, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Penale, nëse kjo shihet si mënyra më e përshtatshme për të ofruar lehtësimin e kërkuar.

Mbrojtja argumenton se gjendja e rëndë dhe jetëgjatësia e kufizuar e Mladiqit përbëjnë një çështje thelbësore humanitare që duhet të merret parasysh me prioritet të lartë. Po ashtu, theksohet se, për shkak të gjendjes së tij aktuale shëndetësore, nuk ekziston rreziku që ai të arratiset.

“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e situatës, kërkohet që procesi i shqyrtimit të provave mjekësore të përshpejtohet dhe të mos ketë vonesa, në mënyrë që të merret një vendim sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhet në dokumentin e dorëzuar.

Në raportin mjekësor të datës 24 maj, të përgatitur nga shërbimi mjekësor i OKB-së, thuhet se “pavarësisht trajtimit optimal, gjendja e pacientit Mladiq vazhdon të përkeqësohet, duke reflektuar procesin natyror të plakjes, dhe në një moment ai do të kalojë kufijtë e mundësisë për ndërhyrje mjekësore, gjë që do të çojë në vdekjen e tij, për të cilën nuk mund të jepet një prognozë e saktë”, shkruan më tutje.