Ministri Maqedonci pyetet a ekziston rreziku për luftë: Asgjë nuk përjashtohet, nuk frikësohemi

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për situatën e sigurisë në vend, zhvillimet e fundit, si dhe lëvizjen e forcave serbe. Ai ka thënë se nuk përjashtohet një konflikt tjetër, pasi 48 bazat ushtarake serbe përgjatë kufirit, sipas tij, janë aty për të përgatitur një sulm, raporton Gazeta Sinjali.

Maqedonci u përgjigj se a ekziston rreziku për luftë në Kosovë, duke thënë se asgjë nuk përjashtohet, por shtoi se Serbia e ka parasysh prezencën e NATO-s në vendin tonë.“Asgjë nuk përjashtohet. Serbia megjithatë e ka parasysh prezencën e NATO-s dhe zhvillimin e kapaciteteve të vendit tonë. Normalisht, vazhdon të ketë një ndër qëllimet e saj kryesore ekspansionin territorial.“

“Më 24 shtator e kemi parë që rreziku është i mundshëm, është real. Kemi pasur një lëvizje të forcave serbe te kufiri me Kosovën. Që tri nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të vendosura, në jug të territorit të saj. Kanë numër të madh të ushtarëve. Kjo me qëllim që të mbajën nën presion edhe bashkësinë ndërkombëtare. Janë lëvizje për të dërguar mesazh, por edhe për një qëllim. Jam i bindur se ato 48 baza nuk janë për të mbrojtur Serbinë nga një sulm i mundshëm nga Republika e Kosovës, por janë për të përgatitur një sulm të mundshëm kundër Kosovës. Megjithatë, kjo neve nuk na frikëson. Ne kemi qenë të gatshëm edhe kur nuk kemi pasur kapacitete për të luftuar” – tha Maqedonci në Tv Dukagjin.