Mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor, Bajrami: Kontratat me negocim të drejtpërdrejtë janë korrupsion

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të opozitës është vendosur që të enjten e kësaj jave, më 14.03.2024, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për kontratat njëburimore.

Kjo pasi 1805 tenderë një burimor janë dhënë që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë, më 22 mars të vitit 2021 e deri më tash.

Rezulton se shuma totale e të gjitha kontratave të nënshkruara për këto katër vite është mbi 240 milionë euro.

Për këtë çështje për Gazetën Sinjali ka folur Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo ka thënë se kontratat me negocim të drejtpërdrejtë janë korrupsion.

“Në vitin 2022 Komision për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka kërkuar nga Zyra Kombëtare, ZKA auditim të kontratave njëburimore në Ministrinë e Infrastrukturës. ZKA ka bërë një auditim të performancës me që rast ka gjet se në Ministrinë e Infrastrukturës vetëm gjatë vitit 2021 janë lidhë gjithsej 23 kontrata”.

“ZKA ka analizuar rreth 13 prej tyre dhe shkeljet janë enorme; secila kontratë shoqërohet me një aneks kontratë e për më keq projekti nuk përfundon me aneks kontratë, por duhet të këtë edhe prokurim të ri për përfundim të projektit”, ka treguar Bajrami për Gazetën Sinjali.

Tutje ajo ka sqaruar se nga kontratat e mbyllura, dëmtohet buxheti i shtetit të Republikës.

“Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton me shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i miri, për me tepër kjo është edhe ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë”, tha ajo për Gazetën Sinjali.

Deputetja ka treguar pse kanë thirrur seancë pikërisht për kontratat e negociuara.

“Në kemi kërkuar debat parlamentar për këtë çështje sepse ky është dëmtim i buxhetit të republikës së Kosovës, do të kërkojmë një auditim nga ZKA të të gjitha kontratave në institucione dhe nëse është e nevojshme do të kërkojmë edhe komision hetimor parlamentar për këtë çështje”, thotë tutje Bajrami për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, kontrata njëburimore janë kontrata që autorititeti kontraktues/organizata buxhetore e lidhë me një operator ekonomike duke mos e publikuar njoftim për dhënie të kontratës, do të thotë negocion vetëm një operator, duke mos lënë hapësirë për pjesëmarrje në tender.