Liverpooli rivalizon dy gjigantët e Manchesterit për yllin e Serie A

Liverpooli po punon intensivisht për të përforcuar skuadrën nën drejtimin e trajnerit, Arne Slot, dhe synimi i radhës është një mesfushor defensivë.

Pas fitimit të titullit të Ligës Premier për sezonin 2024–2025, skuadra nga Anfield kërkon të ndërtojë një skuadër të fortë që të triumfojë edhe në Evropë.

Eliminimi në fazën e 1/16-ave të Ligës së Kampionëve ka lënë një shije të hidhur, ndaj drejtuesit janë të vendosur të ndërhyjnë në afatin kalimtar me goditje të mëdha.

Një nga emrat që ka përfunduar në radarët e Liverpoolit është mesfushori brazilian Ederson, i cili shkëlqeu këtë sezon me Atalantën.

Sipas raportimeve nga Tutto Mercato Web, The Reds po intensifikojnë vëzhgimet ndaj 25-vjeçarit, i cili shihet si një përforcim ideal për mesfushën.

Atalanta e ka vlerësuar lojtarin me 60 milionë euro, një shifër që tregon rëndësinë e tij për klubin dhe që mund të kërkojë një investim të madh nga ana e Liverpoolit.

Pavarësisht çmimit, Ederson thuhet se është i tunduar nga ideja për t’u bashkuar me kampionët e Anglisë dhe për të luajtur në një nga klubet më historike të Evropës.

Në garë për brazilianin janë edhe dy gjigantët e Manchesterit si City e United, por edhe skuadra të tjera si Atletico Madrid, Juventus dhe Roma.