Kriza në çift: Katy Perry dhe Orlando Bloom përplasen pas fluturimit në hapësirë

Marrëdhënia mes Katy Perryt dhe Orlando Bloom thuhet se është përkeqësuar pas udhëtimit të saj të diskutueshëm në hapësirë me “Blue Origin”, në prill.

Fluturimi 11-minutësh, i drejtuar nga Lauren Sanchez, u kthye në një situatë të sikletshme për këngëtaren, e cila u tall në rrjete sociale për sjelljen e saj gjatë dhe pas udhëtimit – përfshirë një përkulje dramatike në tokë pas uljes.

Sipas burimeve për Daily Mail, Bloom e kritikoi ashpër udhëtimin, duke e quajtur “të turpshëm dhe qesharak”, çka e lëndoi Perry-n. “Imagjino të shkosh në hapësirë dhe partneri yt të mos tregojë asnjë mbështetje”, u shpreh një burim pranë saj.

Tensionet janë përshkallëzuar edhe më shumë për shkak të dasmës së Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez që mbahet më 24 qershor në Venecia.

Bloom është i ftuar, ndërsa Perry jo – për shkak të angazhimeve të saj në Australi, por burime thonë se çështja është më e thellë.

Këngëtarja ndien se të sapomartuarit janë më shumë miqtë e saj dhe është e zhgënjyer që Bloom do të shkojë pa të.

Për më tepër, burime pranë çiftit thonë se Perry ka qenë nën presion edhe profesionalisht. Albumi i saj i fundit, 143, u prit keq nga publiku dhe kritika, ndërsa turneu botëror ka pasur shitje të dobëta.

Shtohen edhe debatet për ekspozimin e jetës së tyre private nga ana e këngëtares, gjë që ka shqetësuar Bloom-in.

Një burim i dytë tha: “Orlando është lodhur. Ai ndien se Katy ka ndryshuar dhe nuk po i dëgjon më këshillat e tij”.