Emiratet sjellin dy Black Hawk dhe personel për të ndihmuar Shqipërinë me zjarret

Që nga mëngjesi i djeshëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sjellë forca të reja në veprimin kundër zjarreve në Shqipëri, ku përtej trupave ushtarake, edhe dy helikopterë Black Hawk janë vënë në gatishmëri të Forcave të Armatosura për t’u përdorur në vatra të ndryshme.

Ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Gjenerallejtant Arben Kingji, ai i cili priti në bazë ekuipazhet dhe stafin, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me forcat tona për të përballuar situatën.

“Dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur sot në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend”, njoftoi ndërkaq Ministria e Mbrojtjes.

Një vatër e fuqishme zjarri vijon të jetë aktive në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.

Flakët kanë kaluar mbi linjën e ujësjellësit dhe janë afruar pranë një grupi banesash, si dhe në afërsi të Azilit të të Moshuarve në qytet.

Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec, të mbështetura nga 60 trupa të Forcave të Armatosura dhe ndërhyrje ajrore.

Pavarësisht përpjekjeve intensive, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.

Autoritetet njoftojnë se operacioni për shuarjen e flakëve vijon me intensitet të lartë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme dhe rrezikimin e jetëve e pronave të banorëve.

Shqipëria po përballet me orë të vështira në luftë kundër zjarreve, ku në terren janë forca të shtuara policore dhe po kërkohet sigurimi i zonave të banuara në disa qarqe të vendit.

Përmes një komunikate për shtyp, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë me dije se Forcat e Armatosura, Forcat zjarrfikëse dhe ato të Policisë, janë në terren për të siguruar zonat e banuara përreth të cilave po punojmë për të krijuar perimetër sigurie në të gjitha vatrat problematike.

Që nga mëngjesi i djeshëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive.

Avioni Canadair kroat ka operuar aty ku nevoja ka qenë më e madhe, në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë ndërhyrë në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk rrezikojnë perimetrin e ish-Kombinatit Mekanik.

Misionet nga ajri dhe ndërhyrja nga toka në këto zona kanë ulur rrezikun për banorët, shtëpitë dhe bizneset, por situata vazhdon të mbetet dinamike si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të larta që do të vazhdojnë të dominojnë në vend.