David Beckham nderohet me titullin “Sir”

Ish-kapiteni i Anglisë u shpreh i emocionuar dhe “jashtëzakonisht krenar” për këtë nder, duke thënë se “kurrë nuk do ta kishte imagjinuar” një moment të tillë, teksa falenderoi familjen dhe rikujtoi rrënjët e tij në Londrën Lindore.

Ky titull vjen pas një dekade vonesash, ku më herët u raportua se ai ishte bllokuar për shkak të çështjeve fiskale, shkruan DailyMail.

Në vitin 2014, ai nuk u përfshi në listë për shkak të një “flamuri të kuq” nga taksat, dhe më pas u përfol për emaile të rrjedhura ku shfaqte zhgënjimin ndaj komisionit të nderimeve.

Beckham është nderuar për kontributin e tij në sport dhe bamirësi, përmes punës me organizata si UNICEF dhe Malaria No More. Ai ishte dekoruar më herët me OBE në vitin 2003.

Në të njëjtën listë nderimesh të Ditëlindjes së Mbretit u vlerësuan edhe figura të tjera të njohura: aktori Gary Oldman dhe këngëtari Roger Daltrey u shpallën gjithashtu kalorës, ndërsa titulli “Dame” iu dha këngëtares së njohur të teatrit britanik Elaine Paige.

Prezantueset e “Strictly Come Dancing”, Claudia Winkleman dhe Tess Daly, si dhe adoleshenti i dartsit Luke Littler, u nderuan me titullin MBE.

Përfundimisht, Beckham u shpreh: “Të luaja për vendin tim ishte një ëndërr. Ky titull është një nder i thellë që ndaj me familjen time. Jam krenar që shërbej përmes sportit dhe bamirësisë”.