Dalin detaje të reja rreth pronës që iu dha sot Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë publik vendimin e Qeverisë së Kosovës për të udhëzuar Agjencinë Kadastarale të regjistrojë 24 hektarë tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Ai ka treguar se kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar edhe Këshillin e Evropës përmes një note verbale për këtë vendim të institucioneve të Kosovës.

Gazetari i FAZ, Michael Martens, ka publikuar Notën Verbale të dërguar nga ministrja e Jashtme e Kosovës, ku tregohet për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të udhëzojë Agjencinë Kadastrale për kalimin e 24 hektarëve tek Manastiri dhe gjithashtu në këtë Notë Verbale konfirmohet se Agjencia Kadastrale e ka implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke i regjistruar hektarët në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Gërvalla në shkresën e saj ka thënë se institucionet e Kosovës do të vënë në dispozicion të Këshillit të Evropës edhe certifikatën për posedimin e pronës , ku konfirmohet regjistrimi në emër të Manastirit të Deçanit.

Kryediplomatja kosovare në letër shpreh pritjet e saj që pas këtij vendimi të Kosovës të ketë epliog pozitiv në takimin e muajit maj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.